Itinerare kulturore: evropa ndjek hapat e cirilit e të metodit - vatican news

Play all audios:

Këshilli i Evropës u njeh vlerën historike, kulturore dhe fetare, 45 itinerareve të kontinentit. Ndër pesë të fundit, është edhe ai kushtuar dy bashkëpajtorëve të Evropës, shenjtorëve Cirili
e Metodi, simbole dialogu ndërmjet krishterimit Lindor e atij Perëndimor. Në itineraret e miratuara për vitin 2021, bën pjesë Shqipëria, me Butrintin R.SH. - VATIKAN I lehtë dhe i
realizueshëm, rrjeti i 45 itinerareve kulturore, që përshkojnë Evropën dhe i ndihmojnë banorët e turistët të zbulojnë trashëgiminë e saj: këto udhë janë hapësira emblematike për dialogun
ndërkulturor, bashkëpunimin transkombëtar, zhvillimin e qëndrueshëm dhe turizmin kulturor. 45 itineraret kanë filluar të miratohen që në vitin 1987 nga Instituti Evropian përkatës, organizëm
i Këshillit të Evropës. Kështu, rreth 3 mijë vetë, në më se 60 vende, jo vetëm janë të lidhur me njëri-tjetrin, por përfitojnë edhe nga një “turizëm i qëndrueshëm kulturor, nga zhvillimi
lokal, kanë më shumë mundësi financimi, janë më të njohur ndërkombëtarisht, mund ta vlerësojnë dhe ta ruajnë më mirë trashëgiminë e tyre”, siç nënvizohet në dokumentet e Institutit. Ky rrjet
po bëhet gjithnjë e më i gjerë: në prill 2021 u miratuan pesë itinerare të reja, ndërsa 17 vende të tjera janë treguar të gatshme për të kërkuar zyrtarisht njohjen e vlerës kulturore të
udhëve të tyre. EDHE SHQIPËRIA, NË ITINERARET KULTURORE EVROPIANE Pavarësisht nga tema e udhës për t’u ndjekur, të gjitha kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës, të historisë dhe të
trashëgimisë evropiane dhe përfaqësojnë vlerat themelore të promovuara nga Këshilli i Evropës si humanizmi, demokracia, dialogu ndërkulturor dhe ndërfetar, respekti, mirëkuptimi reciprok,
kohezioni shoqëror, paqja… Një nga pesë çertifikimet e sivjetme ka të bëjë edhe me Shqipërinë. Quhet “Udha e Eneas”, itinerar arkeologjik i frymëzuar nga legjenda e Eneas, rrëfyer nga
Virgjili. Fillon në brigjet e Turqisë (Deti Egje veriperëndimor) deri në brigjet e Latium Vetus në Itali, përmes një rruge detare dhe, nganjëherë, tokësore. _BUTRINTI ËSHTË ETAPA SHQIPTARE E
KËSAJ UDHE._ Shqipëria bën pjesë zyrtarisht edhe në tre itinerare të tjera evropiane, megjithëse shpesh, jo në nivelin qeveritar: në itinerarin e ullirit është akoma në hyrje e sipër,
megjithëse udha është miratuar që në vitin 2003; në të ashtuquajturën “Udha e Fenikasve” merr pjesë përmes fondacionit “Bridge for the Future” (Urë për të ardhmen); në itinerarin “Atrium”,
përmes të cilit synohet të njihet arkitektura e regjimeve totalitare të shekullit XX në kujtesën urbane të Evropës, Shqipëria merr pjesë përmes bashkisë së Tiranës. Kujtojmë se
ish-ambasadori pranë Selisë së Shenjtë, i ndjeri Rrok Logu, bëri përpjekje për ta përfshirë Shqipërinë në udhët e përshkuara nga “Opera Romana Pellegrinaggi”, por vendi i shqipeve u duk në
katalogun e shtegtimeve fetare vetëm për një vit. KATËR ITINERARE TË TJERA TË VITIT 2021 Instituti Evropian i Itinerareve Kulturore ka çertifikuar sivjet edhe katër udhë të tjera, përveç
asaj të Eneas. Është fjala për “Alvar Aalto Route - Arkitektura dhe Dekorimet e shekullit XX”, që ndjek punimet e arkitektit të njohur finlandez; pastaj, itinerari i Cirilit dhe Metodit, një
sërë shtigjesh në gjurmët e dy shenjtorëve; Udha Evropiane e d’Artagnan-it, një itinerar fizik i krijuar mbi bazën e dokumenteve historike dhe letrare, që ndjekin epikën e Charles de Batz
de Castelmore d'Artagnan, nga figura e të cilit u frymëzua Alexandre Dumas për personazhin me të njëjtin emër në “Tre musketierët”; së fundi, itinerari i Epokës së Hekurit në luginën e
Danubit, që vlerëson trashëgiminë arkeologjike të rajonit të Danubit, duke filluar nga vitet 800 para Krishtit. VEÇORITË E ITINERARIT TË SHENJTORËVE CIRILI E METODI I rëndësishëm për fenë,
itinerari kushtuar bashkëpajtorëve të Evropës, Cirilit e Metodit, simbole të dialogut kulturor ndërmjet krishterimit perëndimor e atij lindor. Konsiderohen misionarët më me peshë, pasi kanë
pasur rol kryesor në përhapjen e krishterimit dhe në zhvillimin kulturor të tokave sllave. Kulti dhe mesazhi i tyre është gur kilometrik në identitetin evropian të kombeve sllave dhe ndikoi
fuqimisht, megjithëse jo drejtpërdrejt, në formimin dhe organizimin e vendeve evropiane në Mesjetën e hershme. Vepra e këtyre shenjtorëve është themelore për aspekte të ndryshme të
qytetërimit evropian si edukimi, dialogu ndërmjet feve, kultura dhe formimi i kombit. Itinerari kalon nëpër gjurmët e shën Cirilit e të shën Metodit dhe të ndjekësve të tyre (shtatë
shenjtorët apostuj), duke përshkruar 7.500 km dhe gjashtë vende (Bullgaria, Republika Çeke, Greqia, Hungaria, Sllovakia dhe Sllovenia). E, ashtu siç thuhet në deklaratën e Santiago de
Compostela, tekst themeltar i programit të Itinerareve kulturore, shpresohet që: “Feja, e cila i ka frymëzuar shtegtarët gjatë historisë dhe i ka bashkuar në një aspiratë të përbashkët,
përtej ndryshimeve dhe interesave kombëtare, na frymëzoftë edhe ne sot, sidomos të rinjtë, t’i përshkojmë këto rrugë për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi tolerancën, mbi respektin për
të tjerët, mbi lirinë e solidaritetin”.