Kard. Parolin: thellimi në liturgji na bën të aftë t’i duam vëllezërit - vatican news

Play all audios:

Në një Letër për Javën e 70-të Italiane të Liturgjisë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, transmeton përshëndetjen e Papës dhe nxit të kuptohet gjithnjë e më mirë
gjuha simbolike e liturgjisë, ku përfshihet arti, kënga, muzika, heshtja. R.SH. - VATIKAN Të formohen njerëzit nga pikpamja liturgjike që Populli i Zotit ta dojë liturgjinë si “përvojë
takimi me Hyjin dhe me vëllezërit”, prirur drejt kthimit të zemrës, i cili na bën të aftë t’i duam dhe t’u shërbejmë vëllezërve, siç bëri Krishti. Ky është misioni, që, sipas Sekretarit të
Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, duhet të kenë ata, që marrin pjesë në Javën e 70-të Italiane Litugjike, e cila filloi sot në Messina të Sicilisë e do të përfundojë të
enjten. Këtë vit pjesëmarrësit reflektojnë mbi temën: “Liturgjia: thirrje në shenjtërinë e pagëzimit për të gjithë”. Java e 70-të Italiane Litugjike Në letrën drejtuar imzot Claudio
Maniago, ipeshkëv i Castellaneta-s dhe kryetar i Qendrës së Veprimit Liturgjik, që organizon ngjarjen, prelati bën thirrje për t’i “ndihmuar bashkësitë ta bëjnë të tyren lutjen e Kishës”,
duke rizbuluar përmbajtjen e saj dhe duke ndjekur ritet. “Liturgjia do të jetë ashtu si duhet, pra, e aftë t’i formojë dhe t’i shndërrojë ata që marrin pjesë në të”, shpjegon kardinali
Parolin, nëse barinjtë e Kishës dhe laikët “do të mësojnë ta kapin gjithnjë e më mirë kuptimin dhe gjuhën e saj simbolike, përfshirë artin, këngën dhe muzikën në shërbim të misterit të
kremtuar, si edhe heshtjen”. SHENJTËRIA DHE LITURGJIA Në qendër të Javës Italiane Liturgjike është pikërisht risia e dëshiruar nga Koncili II i Vatikanit. Duke u nisur nga
Kushtetuta “Sacrosanctum Concilium”, kardinali Parolin nënvizon se Etërit konciliarë “ngulin këmbë në faktin që liturgjia, meqë kremton shenjtërinë, i shenjtëron ata, që marrin pjesë në të”.
Edhe Papa Françesku kujton se “liturgjia është jetë për tërë popullin e Kishës”. “Në liturgji, shenjtëria e paarritshme e Zotit”, na komunikohet në Krishtin me fytyrën e mëshirës, të
dashurisë pa interes, duke u dhënë njerëzve mundësinë “ta jetojnë jetën e Tij”. Prandaj Papa shpreson që gjatë kësaj Jave “të rritet vetëdija se liturgjia është vend i privilegjuar, në të
cilin shenjtëria e Zotit na tërheq drejt vetes”.