Ambasada e Shqipërisë pranё Vatikanit, homazhe kushtuar atë Gjergj Fishtёs

Ambasada e Shqipërisë pranё Vatikanit, homazhe kushtuar atë Gjergj Fishtёs

Play all audios:


Pallati i Kancelarisë në Romë e pikërisht, Salla prestigjoze e “100 ditëve”, pikturuar nga artisti italian Giorgio Vasari, u bë, më 20 dhjetor, skena e një homazhi të ndierë për poetin e


madh kombëtar, françeskanin shqiptar, atë Gjergj Fishta. Siç sqaroi e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Dodaj, kjo pasdite tematike mbylli vitin e


veprimtarive në kuadrin e 30-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Seli e Shenjtë, si edhe të 150-vjetorit të lindjes së atë Gjergj Fishtës, të cilit, më 30 dhjetor, i kremtojmë edhe


përvjetorin e vdekjes.


Në pamundësi të jenë të pranishëm, për arsye personale, studiuesit Aurel Plasari dhe Evalda Paci ia lanë vendin kumtesës së profesoreshës në Universitetin “L’Orientale” të Napolit, Blerina


Suta, e cila foli mbi “Poetikën Evropiane të një françeskani ballkanik: Gjergj Fishta dhe kultura shqiptare”. Që në krye, ajo përmendi mendimin e një protagonisti tjetër të madh të kulturës,


atë Zef Valentinit, i cili e konsideronte veprën e Fishtës “njëlloj si çdo dokument zyrtar, ose studim të shkëlqyer shkencor mbi jetën dhe traditën filozofike, shoqërore, juridike, politike


të popullit shqiptar, e ndoshta edhe më mirë se kaq, sepse duke lexuar Fishtën përftohet hermeneutika më e mirë e dokumenteve dhe sugjestioni estetiko-moral, që u jep jetë dhe rezonancë


traditave”. Në kumtesën e saj, Blerina Suta vuri në dukje me shembuj e me reflektime se “poetika e Fishtës është ajo e një Shqipërie ideale, ballkanike, por evropiane”, që ushqehet jo vetëm


nga tradita e kultura e popullit, por edhe nga rrënjët e krishtera të tij, pasqyruar nga françeskani i madh, i cili, vëren studiuesja, “e sheh barazinë ndërmjet njerëzve si shprehje të


vëllazërimit në Krishtin, siç lexohet në poezinë me titull ‘Të Kryqzuemit’: Sot t’tânë popujt janë nji rodi/ Gjaku i t’ Lumit i vllaznoi”.


Përshëndetja e parë gjatë këtij përkujtimi të atë Gjergj Fishtës i takoi prefektit të Dikasterit për Komunikimin në Selinë e Shenjtë, Paolo Ruffini, i cili vuri në dukje aftësinë e poetëve


si françeskani i madh shqiptar për të parë më larg se koha e vet e për të thënë gjëra, që vlejnë edhe sot e kësaj dite. “Atë Fishta – nënvizoi prefekti – ishte poet. Një poet në gjendje të


rizgjojë fjalë. Ishte gazetar. Themeloi gazeta. Besonte në rolin e kulturës për të endur shpirtin e një populli”.


E, më pas, në fjalën e tij të stërpikur me citime të Papës Françesku, sidomos me mendimet e shprehura për popullin shqiptar gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në vitin 2014, Paolo Ruffini


theksoi: “Françeskani atë Fishta ishte poet origjinal, që bëri të jetojnë e të pulsojnë shpirti, idealet e popullit, të tokës së vet, me gjithë bukurinë e miteve të saj, të traditave


mistike, të zakoneve besnike ndaj origjinës, të ndjenjave heroike. Veprat e atë Fishtës na tregojnë, pra, për rëndësinë e rrënjëve… Shqiptarët e dinë se kur fjala del nga zemra (ashtu si


fjalët e atë Fishtës), e prek zemrën. Dinë edhe se malet nuk takohen, por njerëzit po. E siç tha Papa Françesku, duke iu drejtuar presidentit dhe autoriteteve të Shqipërisë në vitin 2014,


shqiptarët (jo vetëm me fjalë) e kanë dëshmuar mundësinë konkrete për dialog. Citoj tekstualisht: ‘Sa ndodhi në Shqipëri dëshmon… se bashkëjetesa paqësore ndërmjet njerëzve e bashkësive, që


u përkasin feve të ndryshme, nuk është vetëm e dëshirueshme, por konkretisht e mundur dhe e praktikueshme. Bashkëjetesa paqësore ndërmjet bashkësive fetare, në fakt, është pasuri e paçmuar


për paqen dhe për zhvillimin e harmonishëm të një populli. Është vlerë, që duhet ruajtur e shtuar çdo ditë, përmes edukimit me respektin për ndryshimet e për identitetet e veçanta, të hapura


ndaj dialogut dhe bashkëpunimit për të mirën e të gjithëve, përmes ushtrimit të njohjes e të vlerësimit për njëri-tjetrin. Është dhuratë, që i duhet kërkuar gjithnjë Zotit në lutje.


Shqipëria vijoftë gjithnjë në këtë rrugë, duke u bërë për shumë vende shembull frymëzimi!’ Kujtesa poetike mund të bëjë shumë për këtë. Sepse është e aftë ta transfigurojë historinë. E t’i


gjallërojë burimet e rrënjët”, përfundoi prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin.


Pas tij, aktorja Isabel Russinova dhe gazetarja Klaudia Bumçi lexuan disa pjesë nga poezitë e atë Gjergj Fishtës, në italisht e në shqip. Për publikun, mundësia për të kuptuar thellësinë e


shpirtit të një poeti të madh, intelektual poliedrik.