Misionarët martirë: faqe tё ungjillit që i flasin njeriut të sotëm - vatican news

Play all audios:

Më 24 mars kremtohet dita e lutjes dhe agjërimit për misionarët martirë, qё sivjet ka si temë: “Zëri i Fjalës”. Dëshmitë e tyre kanë shumë për të thënë për të tashmen dhe të ardhmen tonë.
R.SH. - VATIKAN Më 24 mars 1980, ndërsa po kremtonte Eukaristinë ( Meshёn Shenjte), kryeipeshkvi Oscar Romero u vra në Shtetin e vogël të Amerikës Qendrore të El Salvadorit. Nga kjo datë u
frymëzua kremtimi i Ditës së lutjes dhe agjërimit në kujtim të misionarëve martirë, që lindi në vitin 1993 me iniciativën e Lëvizjes Rinore Misionare të asaj kohe, e cila sot është bërë
Misioni i tё Rinjve. Që atëherë, çdo vit, mbahet një ngjarje e veçantë lutjeje për t’i kujtuar të gjithë dëshmitarët e Ungjillit të vrarë në vise të ndryshme të botës. Sivjet Dita e 30-të e
kujtimit të misionarëve martirë ka si temë: “Zëri i Fjalës”. DËSHMITARË TË PRITJES SË VËRTETË Misionarët e shpallin Ungjillin edhe në periferitë më të largëta të botës. Ata dëshmojnë, edhe
duke dhënë jetën, fenё e tyre përkrah popujve të përndjekur dhe atyre që vuajnë nga uria, lufta dhe mjerimi. Dita e 24 Marsit është një rast për t’i kujtuar tё gjithё ata që shpenzuan e
dhanë jetën në misione tё ndryshme nё mbarё botёn. Ndёr ta kujtojmё At Olivier Maire, epror provincial i Kongregatës së Misionarëve Montfortian, i cili u vra më 9 gusht 2021 në Francë nga
një person me çrregullime psikiatrike, një refugjat ruandez të cilin e kishte strehuar nё struktura tё Kishёs. MBROJTËSIT E TË DREJTAVE TË MOHUARA Dom René Bayang Regalado u vra më 24 janar
2021 teksa po kthehej në Seminarin e Shën Gjonit XXIII në fshatin Patpat, në ishullin Mindanao, në Filipinet jugore. Ai njihej edhe si "Paring Bukidnon" ("prifti i
malit"), pasi shpesh i vizitonte komunitetet më të izoluara, duke i mbrojtur të drejtat e fermerëve. Ai mbështeti çështjet që lidhen me jetën dhe urgjencat e fermerëve dhe promovoi
bujqësinë organike e të qëndrueshme. Para se të vritej, disa herё qe kërcuar me vdekje. PRANË TË VARFËRVE DHE TË VEGJËLVE Nadia de Munari, një misionare laike, u vra në Peru më 24 prill 2021
pasi u sulmua me hanxhar. Ajo ndihmoi të varfërit e drejtoi disa kopshte dhe një shkollë fillore të lëvizjes Operazione Mato Grosso, themeluar nga don Ugo De Censi. “Është gjithmonë dikush
qё ёshtё më i varfër - thoshte Nadia de Munari - të cilit mund t'i dhurosh një buzëqeshje, mund të ndihmosh, mund t'i japësh një dorë. Edhe nëse nuk ke asgjë, gjithmonë mund të
ofrosh diçka: një lutje, një fjalë, një afërsi, një gjest dashurie, një përqafim". Ajo e At Olivier Maire, don René Bayang Regalado dhe Nadia de Munari janë vetëm disa nga historitë e
misionarëve që kohёve tё fundit kanë pësuar martirizimin. NJËZET E DY VIKTIMA GJATË 2021 Sipas të dhënave të mbledhura nga Agenzia Fides, në vitin 2021 në botë u vranë 22 misionarë: 13
meshtarё, 1 rregulltar, 2 rregulltare, 6 laikë. Për sa i përket ndarjes sipas kontinenteve, numri më i lartë është regjistruar në Afrikë me 11 viktima (7 meshtarё, 2 murgesha dhe 2 laikë), e
ndjekur nga Amerika me 7 (4 meshtarё, një rregulltar dhe 2 laikë), Azia me 3 (1 meshtar dhe 2 laikë) dhe Evropa me një viktimë (një meshtar).