Papa françesku takon meshtarët e romës deri me 10 vjet shugurim - vatican news

Play all audios:

Çast i përzemërt dëgjimi dhe dialogu pasditen e sotme (29 maj) në Shtëpinë e Dishepulleve të Devotshme të Mësuesit Hyjnor, në Romë R.SH. – VATIKAN Sot (29 maj), në orën 15.30, Papa
Françesku shkoi në Shtëpinë e Motrave Dishepulle të Devotshme të Mësuesit Hyjnor në Romë, ku u takua me meshtarët e dioqezës, që kanë deri në 10 vjet shugurim. Morën pjesë rreth nëntëdhjetë
priftërinj, në praninë e ipeshkvit Baldo Reina, mëkëmbës i dioqezës së Romës dhe të ipeshkvit Michele di Tolve, delegat i sektorit për kujdesin e diakonatit, klerit dhe jetës rregulltare.
Pas takimit të 14 majit me meshtarët më të moshuar të dioqezës ku është ipeshkëv, Ati i Shenjtë vijon ta dëgjojë klerin. Takimi i tretë i këtij lloji do të mbahet pasditen e së martës 11
qershor, kur Papa do të bisedojë me meshtarët nga viti i njëmbëdhjetë deri në vitin e tridhjetë e nëntë të shugurimit, në Sallën kryesore të Universitetit Papnor Salezian. Këto takime mbahen
zakonisht me dyer të mbyllura dhe i japin mundësi Françeskut të dëgjojë drejtpërdrejt meshtarët e vet, duke u bërë ai vetë i pari shembull për këshillën, që i jep gjithnjë klerit, kudo ku
shkon: të krijohen marrëdhënie të mira ndërmjet ipeshkvit dhe meshtarëve, si edhe ndërmjet njëri-tjetrit. “Ky takim – vëren imzot Reina – konfirmon vëmendjen e Atit të Shenjtë ndaj
meshtarëve, të cilët i ka takuar në sektorë të ndryshëm, nëpërmjet prefektëve; të gjithë së bashku, më 13 janarin e kaluar, në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran; e tani, po vazhdon me grupe
presbiterësh të ndarë sipas vitit të shugurimit. Është shenjë shumë e bukur vëmendjeje, dëgjimi dhe diskutimi për çështje me natyrë baritore dhe ekzistenciale”. “Në takimin e
sotëm, – shpjegon imzot di Tolve – Papa bisedoi me meshtarët më të rinj të dioqezës, të paktën nga pikëpamja e datës së shugurimit. Nëse është e vërtetë që një prift bëhet i tillë me aktin e
shugurimit presbiterial, në realitet ai “bëhet” vërtet meshtar në ushtrimin e shërbesës meshtarake, në kontekstin kishtar ku është caktuar. Është proces, që realizohet në shërbim, është
zhvillim dhe rritje brenda një territori, që është ai ku jeton bashkësia famullitare. Ati i Shenjtë i dëgjoi dhe dialogoi me ta".