Françesku në irak: të diel, lutje në gjithë vendin - vatican news

Play all audios:

Patriarku kalde Louis Raphael Sako shkroi një lutje të veçantë, të cilën Kisha vendase do të nisë ta thotë të diel, më 17 janar, nësa përgatitet të presë Françeskun. Lutja i drejtohet Zotit
që t’i zhdukë të gjitha pengesat, të cilat mund t’i ndeshë Papa, nësa përgatitet për këtë shtegtim kaq të dëshiruar. R. SH. - VATIKAN Trojet ndërmjet dy lumenjve legjendarë presin Papën
Françesku e luten që vizita e tij jo vetëm të realizohet, por edhe të sjellë fryte dialogu e paqeje, falë bashkëpunimit të të gjithëve. Vendi mesdhetar vijon të jetojë i ngarkuar me
tensione, posaçërisht në kufirin me Sirinë, por edhe përbrenda, që nga Nasiria, tek zona e Mosulit, kryeqytet i “shtetit të vetëquajtur islamik” ndërmjet viteve 2014 e 2017. Në këto vise,
nga dheu vijojnë të dalin mijëra kufoma civilësh, mbetur nën gërmadha e flakur në gropa të përbashkëta, shenjë e dhunës së pashpirt e të pakufi. SAKO: PAPA NË IRAK, AKT GUXIMTAR, QË JEP
SHPRESË “Prej shumë kohe jetojmë të pushtuar nga frika, por edhe të mbushur me shpresë” - pohoi Patriarku i Babilonisë së Kaldenjve, sapo u njoftua për shtegtimin e Papës, më 7 dhjetorin e
kaluar, duke e shikuar si shenjë e rilindjes së vendit, si “Krishtlindje e re”. Sot, me të njëjtën frymë, kardinali Louis Raphael Sako shkroi një lutje dhe kërkoi, përmes kanaleve të
Patriarkatit, që besimtarët ta thonë së bashku gjatë meshëve të të gjitha të dielave, duke nisur nga e diela e ardhshme, 17 janar: _“O Zot, Hyji ynë, jepi Papës Françesku shëndet e
prosperitet, që të mund ta kryejë me sukses këtë vizitë aq të pritur! Bekoji përpjekjet e tij për ta forcuar dialogun e pajtimin vëllazëror dhe për krijimin e mirëbesimit e forcimin e
vlerave të paqes e të dinjitetit njerëzor, posaçërisht për ne, irakianët, dëshmitarë të ngjarjeve tejet të dhimbshme, që na ranë për hise”._ Kështu nis teksti i cili, para se t’ia besojë
këtë shtegtim Virgjërës Mari, lutet që drita e Hyjit t’i shndrisë të tërë gjatë gjithë kësaj kohe: _“O Zot, Krijuesi ynë, shndriti me dritën tënde zemrat tona, që të dëshirojmë të mirën e
paqen e edhe të nisim t’i realizojmë”._ Më pas, lutja për ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, Nënës sonë, kujdesit amtar të së cilës i besohet vizita e Papës e edhe trojet, që do të vizitojë..
_“…që Zoti t’u japë hirin të jetojnë në bashkimin e plotë kombëtar, duke punuar vëllazërisht për ndërtimin e një ardhmërie më të mirë për vendin tonë e shtetasit e tij”._ Kujtojmë se, që në
dhjetorin e kaluar, Patriarku Sako kërkoi të fillonin pergatitjet për ardhjen e Papës, duke theksuar se kjo nuk do të jetë rastësi - udhëtim turistik a shëtitje luksi, por “shtegtim i
ngarkuar me mesazhin e ngushëllimit për të gjithë, në një kohë pasigurie”. “Duhet ta shikojmë këtë vizitë - pati nënvizuar rreth një muaj më parë - si rast ndryshimi rrënjësor, në mënyrë që
feja e shpresa në ne të bëhen angazhim” . VITI 2021 I PAPËS FILLON PIKËRISHT ME IRAKUN Kujtojmë se me Irakun do të fillojnë edhe shtegtimet e Papës për vitin 2021: më 7 dhjetor u dha
njoftimi për shtegtimin e Françeskut në trojet irakiane nga 5 deri më 8 mars. Vizitë që Françesku e dëshiron prej kohe, që nga qershori 2019. Një sinjal në këtë drejtim ishte ai i 25 janarit
2010, kur Papa priti, në Vatikan, Barham Salihun, President i Republikës së Irakut. Do të jetë një urë, e cila do të lidhë vitin që po shkon, me atë që po vjen - besojmë - i ngarkuar me
shpresa!