Dhurata e bashkimit të plotë të të krishterëve, në lutjen e papës - vatican news

Play all audios:

Një ditë pas fillimit të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, Papa, duke iu drejtuar të pranishmëve në Sallën Pali VI, ardhur nga vendet ndryshme të botës për të marrë pjesë në
audiencën e përgjithshme, u përsëriti ftesën që të krishterët të jenë një gjë e vetme. E edhe u lut për këtë bashkim R.SH. - VATIKAN Është e pranishme në çdo gjuhë e i drejtohet çdo të
krishteri, lutja që Jezusit ia bëri Atit: “QË TË GJITHË TË JENË NJË”, të cilën Françesku e përsëriti sot në Sallën Pali VI. E është edhe detyrë e çdo të pagëzuari - kujtoi - “të angazhohet”
për atë, që “e dëshironte” vetë Biri i Zotit. Jemi në përshëndetjet, që Françesku u drejton zakonisht të pranishmëve në fund të takimit të së mërkurës. E Papa sot u kujtoi besimtarëve të
gjuhëve të ndryshme: polake, franceze, angleze, italiane … se pikërisht dje nisi Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, e cila do të përfundojë me kremtimin e Mbrëmësoreve, më 25
janarin e ardhshëm, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve e që, si çdo vit, do të ndiqet nga Kishat e konfesionet e mbarë botës. Temën e javës sivjet e propozoi Këshilli i Kishave të
Lindjes së Mesme, i frymëzuar nga një verset shkëputur nga Ungjilli i Mateut, kushtuar përvojës së Tre Dijetarëve: _“NË LINDJE PAMË TË DUKEJ YLLI I TIJ E ERDHËM TA ADHUROJMË”(Mt 2.2)_ Në
audiencën e së hënes së kaluar me një delegacion ekumenik të Finlandës, Papa kërkoi që “Drita e ëmbël e Zotit, e cila e davarit errësirën e ndarjeve dhe e orienton rrugëtimin drejt
unitetit, t’i prijë udhës së bërë bashkë, duke e ndihmuar njëri-tjetrin në shtegtimin ekumenik, për të ecur gjithnjë më shumë kah Zoti”. Bota ka nevojë për dritën e Tij e kjo dritë shkëlqen
vetëm në dashuri, në bashkim, në vëllazërim” - nënvizoi - ashtu si edhe në lutjen e Engjëllit, të dielën e kaluar: _“EDHE NE TË KRISHTERËT, NË LARMINË E KONFESIONEVE E TRADITAVE TONA,
JEMI SHTEGTARË PËR UDHË DREJT UNITETIT TË PLOTË E I AFROHEMI CAKUT, SA MË SHUMË T’I MBAJMË SYTË NGULUR MBI JEZUSIN, NJË TË VETMIN ZOTIN TONË”_ Gjatë Javës së Lutjes - pati kërkuar në këtë
rast - t’i ofrojmë edhe përpjekjet e vuajtjet tona për bashkimin e të krishterëve. Ju ftoj të luteni - u tha Papa besimtarëve polakë sot - që gjithë të krishterët, duke zbuluar dhembshurinë
e dashurisë së Zotit, ta duan fort njëri-tjetrin e ta bëjnë këtë me dëshirë - gjë që e ripohoi edhe duke përshëndetur besimtarët e pranishëm të gjuhës angleze. “Që kjo javë të na ftojë -
kujtoi më pas në përshëndetjet e besimtarëve të gjuhës italiane - për t’i kërkuar me ngulm Zotit dhuratën e bashkimit të plotë”. E kjo të realizohet - shpjegoi akoma - “duke i dhënë fund çdo
forme të indiferencës, të pështjellimit e të rivalitetit të urryer, _DUKE BASHKËPUNUAR PËR DASHURI TË KRISHTIT E DUKE U BASHKUAR TË GJITHË NË EMRIN E TIJ!”._