Masakra në teksas, françesku: është koha për t’i thënë mjaft trafikimit pa dallim të armëve - vatican news

Play all audios:

Thirrja i Papës në fund të audiencës së përgjithshme, pas masakrës që bëri në një shkollë fillore amerikane një i ri: me zemër të thyer, ju ftoj të angazhohemi të gjithë që të mos ndodhin më
tragjedi të tilla. Kardinali Cupich i Çikagos: tani duhet të veprojmë për të mbrojtur të rinjtë, e drejta për të mbajtur armë nuk duhet të jetë kurrë më e rëndësishme se jeta njerëzore
R.SH. - VATIKAN “Është koha t’i japim fund trafikut pa dallim të armëve. Të angazhohemi të gjithë, që të mos ndodhin më tragjedi të tilla”. Kështu u shpreh Papa në përfundim të katekizmit të
audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, për masakrën në shkollën fillore Uvalde, që u kushtoi jetën 21 personave, 18 fëmijëve dhe tre të rriturve, krim që zë vendin e
dytë për numrin e të vdekurve në shkolla lidhur me incidente të ngjashme në historinë amerikane. Vrasësi ishte një i ri, i vrarë edhe ai më pas nga policia, që hapi zjarr në klasa, pas
plagosjes së gjyshes së tij, e cila u mundua ta ndalonte. KARDINALI CUPICH: TË QAJMË, POR DUKE VEPRUAR Ipeshkvijtë amerikanë ngritën menjëherë zërin, në veçanti kardinali Blase Cupich,
kryeipeshkëv i Çikagos, i cili i dënoi ligjet për mbajtjen e armëve të zjarrit. “Duhet të qajmë dhe të zhytemi në dhimbje”, shkruan kardinali në një deklaratë, “por edhe duhet të jemi gati
të veprojmë përballë dëshpërimit të pangushëllueshëm”. “Kanë kaluar dhjetë vjet që nga masakra e Sandy Cook, edhe ajo në një shkollë fillore, ku 20 nga 26 viktimat ishin fëmijë. Duke kujtuar
atë dhe tragjeditë e tjera të shumta në Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit, prelati pyeti veten: “Çfarë shpresojmë për fëmijët tanë? Që ata të mësojnë sesi të sillen në rast të një sulmi
nga një vrasës? Që të ndjehen në rrezik, ndërsa bëjnë çka shoqëria thotë se është e mirë për ta: domethënë, të shkojnë në shkollë? Që të arrijnë të pyesin nëse kanë apo jo të ardhme?”.
Kryeipeshkvi i Çikagos citoi, më pas, një studim të Mjekësisë Veriperëndimore të vitit 2021, në të cilin pohohet se ndalimi federal i armëve sulmuese parandaloi 10 të shtëna masive në 10
vitet që ishte në fuqi. Gjithashtu vërtetoi se po të kishte mbetur ndalimi në fuqi edhe në vitet pas skadimit të tij, mund të kishte parandaluar 30 të shtëna të tjera publike, që vranë 339
njerëz dhe plagosën 1139 të tjerë. “KEMI MË SHUMË ARMË ZJARRI, SE SA NJERËZ" Kardinali Cupich, i mbështetur nga ipeshkvijtë e Shteteve të Bashkuara, u kërkoi të gjithëve ta përfytyrojnë
veten “si prind, me një fëmijë në atë shkollë” dhe më pas, “duke e varrosur”. Amerika është plot me armë. “Ne kemi më shumë armë zjarri sesa njerëz”, pohoi përsëri. Edhe pse nuk ka qenë
gjithmonë kështu, “të shtënat masive sot në Amerikë janë bërë realitet i përditshëm”. “E drejta për të mbajtur armë nuk do të jetë kurrë më e rëndësishme, se jeta e njeriut - përfundon
Cupich dhe shton - fëmijët tanë gjithashtu kanë të drejta. Ndërsa zyrtarët tanë të zgjedhur, e kanë për detyrë morale t’i mbrojnë!”.