#sinodiamazonik. Paraqitet dokumenti përfundimtar, sot votimi - vatican news

Play all audios:

Në praninë e Papës Françesku, gjatë Kongregacionit të 15-të të përgjithshëm të Sinodit të posaçëm të Ipeshkvijve për Rajonin Panamazonik, mbajtur dje pasdite, u paraqit Dokumenti
përfundimtar dhe u zgjodhën anëtarët e Këshillit pas-sinodal. Të pranishëm në sallë, të 182 etërit sinodalë. R. SH. - VATIKAN Janë 13, anëtarët e Këshillit për vënien në jetë të Asamblesë së
posaçme të Amazonës, zgjedhur pasditen e 25 tetorit, me shumicë absolute. Emrat e tyre përfaqësojnë vendet kryesore të rajonit: 4 vijnë nga Brazili, 2 nga Bolivia, 2 nga Kolumbia, 2 nga
Peruja, 1 nga Antilet, 1 nga Venezuela e 1 nga Ekuadori. Anëtarëve të zgjedhur pasditen e djeshme u shtohen edhe tre të tjerë, emëruar nga Papa. Këshilli ka për detyrë të punojë për
aktualizimin e vendimeve të Sinodit. PARAQITJA E DOKUMENTIT Menjëherë pas votimit, në Kongregacionin e 15-të, relatori i përgjithshëm i Sinodit, president i Rrjetit kishtar panamazonik,
kardinali Claudio Hummes, paraqiti në sallë dokumentin përfundimtar të punimeve. Duke folur për tekstin, Hirësia e Tij vuri në dukje punën e madhe të bërë nga Komisioni për hartimin e
dokumentit, e po ashtu, edhe nga rrethet e vogla, që bënë shumë korrektime. Teksti - vijoi të kujtojë - lidhet me një çast emergjence ekologjike, në të cilin duhet vepruar menjëherë, pa
pritur më asnjë çast. Mbrojtja e Amazonës është themelore - shtoi - për shëndetin e mbarë planetit e Kisha, e vetëdijshme për faktin se duhet një kthesë e gjithanshme, për një ekologji të
gjithanshme! Kisha e dëgjon britmën e popujve të Amazonës e britmën e tokës, britmë e njëjtë e shprehje e së njëjtës shpresë. Sinodi - përfundoi kardinali Hummes - shërben për fuqizimin e
bashkimit kishtar, me Pjetrin e nën udhëheqjen e Papës. SOT, VOTIMI Mëngjesin e sotëm, e shtunë, 26 tetor, etërit sinodalë ia kushtuan rileximit individual të tekstit, ndërsa pasdite, gjatë
Kongregacionit të 16-të të përgjithshëm, do të votohet. Së fundi, sipas traditës së Asambleve Sinodale, Françesku u dhuroi të gjithë pjesëmarrësve në Sinod, një dhanti të veçantë: medaljen
e Papës për vitin 2019, me pamjen e Amazonës.